Rusia duhet të ndalojë menjëherë zhvillimin fshehurazi të një sistemi të ndaluar raketash “cruise”, në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të përpiqen ta shkatërrojnë atë përpara se të bëhet operacional. Ky është paralajmërimi i të dërguarës së Uashingtonit në NATO, këtë të martë.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia po zhvillon një sistem lançimi nga toka në shkelje të plotë të traktatit të epokës së Luftës së Ftohtë, që mund t’i lejojë kështu Moskës të nisë një sulm bërthamor ndaj Europës shumë shpejt pas dhënies së urdhrit. E megjithatë, Moska e ka mohuar vazhdimisht një shkelje të tillë.
Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison tha se Uashingtoni mbetet i angazhuar për një zgjidhje diplomatike, por është gjithashtu i përgatitur të konsiderojë edhe një sulm ushtarak, nëse zhvillimi i sistemit të raketave me rreze të mesme do të vazhdojë.
“Në këtë pikë, ne do të fokusoheshim te kapacitetet tona për të eliminuar një raketë ruse që mund të godasë cilindo prej vendeve të aleancës sonë”, tha Hutchison në një konferencë për shtyp. “Kundërmasat nga Shtetet e Bashkuara mund të jenë të tilla që të eliminohen raketat që janë në zhvillim nga Rusia, në shkelje të traktatit. Ata janë njoftuar tashmë”, shtoi më tej ajo.
Ministria e Jashtme ruse reagoi menjëherë duke thënë se deklarata të tilla ishin tejet të rrezikshme dhe se do t’i ofronte Uashingtonit përgjigje të detajuara më vonë.
“Duket se, njerëzit që bëjnë të tilla deklarata nuk arrijnë ta kuptojnë nivelin e përgjegjësisë së tyre dhe rrezikun e një retorike agresive”, citohet të ketë thënë zëdhënësja Maria Zakharova nga agjencia e lajmeve “TASS”.
Në të kaluarën, Ministria ruse e Jashtme ka shprehur gatishmërinë për bisedime me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të mbajtur në fuqi traktatin dhe se do të vijojë të përmbushë detyrimet e rrjedhura prej tij, nëse edhe Amerika bën të njëjtën gjë.
Komentet nga Hutchison, e cila është emëruar në postin e NATO-s nga presidenti Trump, përbëjnë paralajmërimin më të drejtpërdrejtë për një sulm parandalues që kur një zyrtar amerikan tha në vitin 2017 se SHBA do të mund të marrin në konsideratë krijimin e sistemeve të veta, nëse Rusia vazhdon të shkelë Traktatin e raketave bërthamore me rreze të mesme të vitit 1987. Ai traktat ndalon raketat e mesme, të afta të godasin Europën apo Alaskën. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia festuan 30-vjetorin e tij në Gjenevë gjatë vitit të kaluar.
Top Channel