Pas një vere të mbushur me spektakle kulturore e sportive, sheshi “Skënderbej” ka rimbledhur sërish qytetarët e Tiranës për një shfaqje të veçantë.
Të shtunën, qytetarë të shumtë dhe të vegjlit patën mundësi të ndiqnin një nga spektaklet më të njohur në botë, atë që njihet si Teatri i Rrugës “Mobile Homme”, i organizuar nga Ambasada e Francës në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Aleancës Franceze.
I pranishëm në shfaqje ishte edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili theksoi se tradita e aktiviteteve të shumta kulturore në Tiranë do të vijojë edhe më tej.
“Jam shumë i lumtur që Tiranës nuk i kanë munguar aktivitetet gjatë të gjithë verës, por sidomos edhe tani në vjeshtë. Dua të falënderoj shumë kolegët e Ambasadës franceze, ambasadoren Christine Vasak që bashkëpunoi për të na sjellë një shije të veçantë të Francës, diçka jo klasike sportive, por mbi të gjitha një dhuratë për fëmijët e Tiranës. Besoj se për fëmijët e Tiranës, më e mira është gjithmonë përpara”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se, përkundër skeptikëve që mendonin se sheshi nuk do të arrinte të mbushej asnjëherë, shfaqje të tilla kulturore janë treguesi se ky transformim e ka kthyer atë në një nga hapësirat më të preferuara për qytetarët e Tiranës. Shfaqje të ndryshme pati dhe nga trupa e Cirkut Kombëtar dhe Banda Frymore e Qytetit të Tiranës.
Top Channel