Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë tashmë në përbërjen e tyre një grup-batalion me aftësi të plota luftarake, vlerësuar sipas standardeve të NATO-s. Certifikimi i grup-batalionit të Këmbësorisë së Lehtë është bërë nga ekspertë të aleancës perëndimore, në përfundim të stërvitjes njëjavore “Albania Lion/Biza 18”, ku morën pjesë mbi 1.200 trupa dhe mjete ushtarake.

Në fjalën e saj, të mbajtur në përfundim të stërvitjes, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha se Forcat e Armatosura kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke u renditur si të barabartë mes të barabartëve.

“Certifikimi nga ana e NATO-s i Grup-Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë dhe deklarimi i tij “I gatshëm për luftë” (Combat Ready), shënon përmbushjen e pjesës më të rëndësishme të detyrave tona të shtëpisë, detyrimeve të Paketës së Objektivave të Kapaciteteve të vendit tonë ndaj Aleancës. Ndaj, pa frikë mund ta quajmë këtë zhvillim cilësor, një ngjarje historike në marrëdhëniet tona me NATO-n”, theksoi ministrja Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes tha gjithashtu se progresi është i prekshëm dhe ambicia do të jetë modernizimi i plotë i strukturave të FA-së, ndërsa përgëzoi ushtarakët për arritjen.

“Forcat e Armatosura i dalin zot çdo pune dhe detyre që iu ngarkohet. Ashtu siç dinë të kryejnë operacione luftarake dhe paqeruajtëse, ashtu dinë edhe të kryejnë shërbime atje ku të tjerët e kanë të pamundur. Të tillë jeni ju, të gatshëm në çdo kohë në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Falë këtij shembulli që ju keni vendosur, të rinjtë dhe të rejat që do të zgjedhin Forcat tona të Armatosura dhe që do t’i bashkohen shumë shpejt shkollës së NATO-s, do të kenë shumë më tepër arsye për t’u afruar e shumë më tepër hapësira për të ngjitur shkallët e karrierës së profesioneve të ndryshme në Forcat e Armatosura njësoj si kolegët tanë të Aleancës. Falë shembullit dhe kontributit tuaj, nga sot, simboli i shqiponjës në uniformat tona do të jetë edhe më prezent edhe më shpresëdhënës për të gjithë”, tha Xhaçka para efektivëve të pranishëm në aktivitetin masiv në Bizë.

Gjatë stërvitjes certifikuese “Albanian Lion/Biza 18”, Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) iu nënshtrua një sërë skenarësh, të përgatitur mbi praktikat më të mira të vendeve të NATO-s dhe të bazuar në doktrinat e Aleancës, për sa i takon GBKL, duke testuar kapacitetet operacionale që ata zotërojnë, por edhe për aftësitë e tyre profesionale në fushën e luftimit.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA