Nën akuzë prej një viti për korrupsion, ish-gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri rrezikon të dënohet me katër vjet burgim për çështje korrupsioni.

Megjithatë nëse shpallet fajtor nga gjykata, ish-gjyqtari pritet të përfitojë së shpejti lirinë përsa kohë nga dënimi i kërkuar akuza sugjeroi aplikimin e gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë që përveç kësaj, duke qenë se ish-gjyqtari është mbajtur për më tepër se një vit në paraburgim, atij do t’i llogaritet çdo ditë në paraburgim, një ditë e gjysmë dënim.

Prokuroria thotë se ish-gjyqtari i Apelit foli në telefon me ndërmjetësit dhe se i dënuari Gentian Doda ishte në dijeni për vendimin favorizuar që do të merrte gjyqtari. Për këtë prokurori radhiti përgjimet telefonike dhe mesazhet.

Shuma prej 30 mijë euro duhet të konfiskohet tha prokurori, por nuk do të kenë të njëjtin fat edhe shumat e tjera të sekuestruara gjatë kontrollit të banesës së ish-gjyqtarit.

Pjesa tjetër e gjetur prej 144 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe 96 milionë lekë duhet t’u hiqet sekuestro. Por kjo nuk do të thotë se kjo shumë do t’i kthehet gjyqtarit, pasi menjëherë pasi është tërhequr nga kjo dosje penale, prokuroria do t’i referohet ligjit antimafia për t’i konfiskuar shumën e konsiderueshme si të pajustifikuara dhe me burim të dyshimtë.

Pavarësisht akuzave të shumta për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, sistemi penal në Shqipëri pranohet që ai dështoi për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Përgjatë viteve janë shpallur fajtorë për korrupsion vetëm gjashtë gjyqtarë e prokurorë, mes tyre edhe një ish-gjyqtarë i lartë, ndërsa një tjetër është në rigjykim.

1.Dhimiter Pojanaku , gjyqtar i dënuar
2.Rasim Doda , gjyqtar në rigjykim
3.Parashqevi Ademi, gjyqtare e dënuar
4.Petrit Vukaj , prokuror i pafajshëm
5.Haxhi Giu, prokuror i dënuar
6.Ibrahim hoxha, gjyqtar i dënuar
7.Tom Deda , prokuror i dënuar
8. Majlinda Andrea, gjyqtarë e lartë e dënuar

Top Channel