Javën e ardhshme Tiranën e viziton ministri i Jashtëm Gjerman, Heiko Maas ndërkohë që 15 shtatori përkon me 31-vjetorin e protokollit të bisedimeve mes Shqipërisë dhe RFGJ-së, e cila i hapi rrugë vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë, më 2 tetor 1987, njëkohësisht në Tiranë dhe në Bon.
Shqipëria dhe Republika Federale Gjermane nuk patën asnjë lloj kontakti zyrtar politik deri në vitin 1975 dhe shkak për këtë ishte çështja e pagesës së dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas dokumenteve të publikuara online nga Fondi Arkivor i MEPj-së para nënshkrimit të protokollit të bisedimeve më 15 shtator 1987 pati 12 vite debate e kontakte në nivel diplomatësh dhe ekspertësh në Beograd dhe në Vjenë dhe kjo nisi që me kërkesën zyrtare e palës shqiptare për pagesën e dëmshpërblimeve për t’ju dorëzuar ambasadës së RFGJ, nëpërmjet ambasadës sonë në Beograd.
Pala gjermane këmbëngulte që të vendoseshin në fillim marrëdhëniet diplomatike pasi kështu do krijoheshin kushte për zgjidhjen e çështjeve ekonomike dhe financiare. Ky proces i gjatë u ndihmua edhe nga tre vizitat “private” të kryeministrit të Bavarisë Franz Josef Strauss të shoqëruara me oferta të mira ekonomike, në periudhën 1984-1987.
Në kushtet e krizës së thellë ekonomike të viteve 80-të si pasojë e vetëizolimit të Shqipërisë në marrëdhëniet me jashtë, dhe në kuadër të përpjekjeve të filluara pas vitit 1985 për zbutje “te kujdesshme” të tensioneve të krijuara në politikën e jashtme, me 15 shtator 1987 u nënshkrua në Tiranë Protokolli i bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis delegacionit të qeverisë shqiptare, kryesuar nga Sofokli Lazri, drejtor i Institutit të Studimit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe delegacionit të MPJ të RFGJ kryesuar nga Dr. Dieter Kastrub, dirigjent ministerial.
Top Channel