Pas një pauze që u dha për 15 minuta, por zgjati në fakt më shumë se 9 orë, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga qeveria për emërimin e ekipit negociator në bisedimet me Serbinë, u shty për të mërkurën në orën 14:00.
Mungesa e kuorumit të nevojshëm ishte shkaku i kësaj lëvizjeje, ndërkohë që seanca tjetër po ashtu e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita rreth deklaratave të presidentit Hashim Thaçi mbi ndryshimin e kufirit, nuk arriti të nisë fare.
Deputetet e koalicionit qeverisës kanë nisur të mblidhen në parlament, por ata të opozitës duket se kanë paralajmëruar se edhe këtë herë do ta bojkotojnë seancën.
LDK-ja, kurrsesi jo, citohet të ketë thënë sekretari i përgjithshëm i saj, Ismet Beqiri. Qëndrime të njëjta përcjellin dhe PSD-ja e Vetëvendosja.
Opozita nuk pajtohet me ekipin negociator të propozuar nga ekzekutivi, i cili drejtohet prej zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj. Pikërisht në këtë frymë tensionesh, Hashim Thaçi, propozimi i vakët i të cilit është kthyer në arsyen e polemikave të mëdha që ziejnë sot në Kosovë, përpiqet të qetësojë situatën me deklaratën se nuk do të bisedohet kurrë me Serbinë për liqenin e Gazivodës e as për pjesën veriore të Mitrovicës.
Nuk do të ketë ndarje dhe as shkëputje të pjesës veriore të Mitrovicës, ka këmbëngulur presidenti, duke shtuar se “Nuk do të ketë republike Serpska në Kosovë“, por pa sqaruar ndërkohë se çfarë do të duhet t’i jepet Beogradit në këmbim të Luginës së Preshevës që supozohet t’i bashkohet Kosovës.
Takimi i radhës i tij me homologun serb Aleksandar Vucic në kuadër të procesit të dialogut, është caktuar të zhvillohet në Bruksel në 7 shtator.
Top Channel