Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur sot Kuvendin e Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar mbi ekipin negociator të bisedimeve me Serbinë.
Propozimi i Haradinajt ka qenë që kryetar i kësaj skuadre të jetë Fatmir Limaj dhe nënkryetar, Enver Hoxhaj. Në skuadrën negociatore, si anëtarë janë propozuar të bëjnë pjesë Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Jagxhilar.
Në seancën e sotme munguan partitë opozitare si Vetëvendosja dhe LDK-ja, ndërsa kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar se as deputetët e qeverisë nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur nga opozita, për të votuar rezolutën kundër bisedimeve.
Në sallë sot morën pjesë vetëm deputetët e PDK-së, AAk-së, Listës Serbe dhe Teuta Rugova e LDK-së, e cila theu urdhrin e partisë, duke bërë që të plotësohet kuorumi prej 61 deputetësh.
Partitë që qeverisin në koalicion, PDK-ja dhe AAK-ja, kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për grupin negociator, që do të udhëheqë bisedimet me Serbinë.
Kohët e fundit Kosova është përfshirë nga një valë e gjerë debati, mbi idenë e hedhur në qarkullim nga presidenti Hashim Thaçi, për rinegocim të kufijve me Serbinë, e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Jehona e debatit ka dalë jashtë kufijve të rajonit, duke nxitur reagime qoftë nga vendet e BE-së, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë qenë kundër ndryshimit të kufijve mes dy vendeve, qoftë kjo edhe me marrëveshje.
Top Channel