Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e kërkuar prej qeverisë për miratimin e përbërjes së ekipit të saj negociator në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë u shty dy herë, ndërsa nuk ka asnjë arsye zyrtare për ndërprerjet tejet të gjata.
Seanca, që nisi në mëngjes e u la të vazhdonte punimet pasdite, duhej t’i paraprinte mbledhjes tjetër po ashtu të jashtëzakonshme të kërkuar nga partitë opozitare, lidhur me idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve”, e cila ka shkaktuar reagime të mëdha në vend, rajon e më gjerë.
Opozita, që nuk pajtohet me ekipin negociator, e bojkotoi seancën ku u propozua ekipi dhe drejtuesi i tij, Fatmir Limaj. Vëmendja është e përqëndruar te “Lista Serbe”, 3 deputetë të të cilës hynë në sallë pas orës 18:30. Disa raporte në mediet vendase tregojnë se koalicioni qeverisës varet totalisht nga votat e kësaj force politike, duke risjellë në kujtesë skenarin e formimit të qeverisë “Haradinaj”. Vet ky i fundit, më herët e kritikoi bojkotin e opozitës.
“Këtë herë ata nuk po dëshmojnë që e kanë qëllim të ruajnë territorin. Më shumë kam bërë punë unë, sesa e gjithë opozita bashkë. Ata mund të kishin ardhur sot dhe të bënin pjesën e tyre në këtë proces. Jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë spektrin politik në vend, edhe pse kjo formulë, në pamje të parë mund t’iu duket atyre jo e duhura. Cila është atëherë? Cila është formula me të cilën do të përfaqësohet Kosova?”, tha Haradinaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ekipi negociator nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe sipas saj, “sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i panegociueshëm”. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kritikoi qeverinë, e cila sipas tij po dorëzohet përballë trysnisë së presidentit të vendit.
“Sot, ajo që kemi parë janë vagonët që do t’i shtohen Hashim Thaçit në negociatat me Serbinë. Duke u bërë bisht i Hashim Thaçit, duke shkuar në Bruksel me gjysmën e spektrit politik, përkundër që ne i refuzojmë vendet e rezervuara, këtu nuk po ndryshon kurrgjë”, tha Glauk Konjufca.
Kryetari i PSD-së, Visar Ymeri tha se kjo seancë po e shton rrezikun për Republikën e Kosovës.
“Kjo sjellje inatçore në politikë nuk na çon askund. Seancën e kemi thirrur të parët, ndërsa thirrja e seancës në orën 9 ka qenë ndërhyrje. Koalicioni qeverisës po ndihmohet edhe nga opozita, nga LDK”, tha Visar Ymeri , kryetar i PSD-së.
Seancat e jashtëzakonshme në Parlament u kërkuan pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që mund të përfshijë ndryshimin e kufijve, por asnjëri nuk jep detaje.
Top Channel