Parlamenti i Kosovës u mblodh fillimisht në një seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të qeverisë për të miratuar përbërjen e ekipit të saj negociator në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Seanca duhej t’i paraprinte mbledhjes tjetër po ashtu të jashtëzakonshme të kërkuar nga partitë opozitare lidhur me idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve”, e cila ka shkaktuar reagime të mëdha në vend, rajon e më gjerë. Opozita e bojkoti seancën e kërkuar nga qeveria e cila propozoi ekip negociues që sipas saj duhet të drejtohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se pjesë e ekipit do të jenë edhe Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, ndërsa vendet e tyre në këtë ekip i kanë edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile. Haradinaj e kritikoi bojkotimin.
“Këtë ata nuk po e dëshmojnë që e kanë qëllimin me e ruajt territorin, më shumë kam bërë punë unë se krejt opozita bashkë. Ata kanë mujt me ardh sot dhe me e marrë hisen e vet në këtë proces. Jam në komunikim të vazhdueshëm me krejt spektrin politik në vend edhe pse kjo formule në pamje të parë mund t’ju duket atyre jo e duhura cila është atëherë? Cila është formula me të cilën do të përfaqesohet Kosova”, tha Haradinaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ekipi negociator nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe sipas saj, “sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pa negociueshëm”. Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kritikoi qeverinë, e cila sipas tij, po dorëzohet përballë trysninë së presidentit të vendit.
“Sot çka kemi parë është vagonët që do t’i shtohen Hashim Thaçit në negociatat me Serbinë. Duke u bërë bisht i Hashim Thaçit duke shkuar në Bruksel me gjysmën e spektrit politik, përkundër që ne i refuzojmë vendet e rezervuara, këtu nuk po ndryshon kurrgjë”, u shpreh Glauk Konjufca.
Kryetari i PSD-së, Visar Ymeri tha se kjo seancë e shton rrezikun për Republikën e Kosovës.
“Kjo sjellje inatçore në politikë nuk na çon askund. Seancën ne e kemi thirr të parët ndërsa thirrja e seancës në orën 9 ka qenë ndërhyrje. Koalicioni qeverisës po ndihmohet edhe nga opozita, nga LDK”, tha Visar Ymeri, kryetar i PSD.
Seancat e jashtëzakonshme në parlament u kërkuan pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që mund të përfshije ndryshimin e kufijve, por asnjeri nuk jep detaje.
Top Channel