Muzika e Wagnerit, radioja publike në Izrael kërkon ndjesë

03/09/2018 17:33

Radioja publike e Izraelit u detyrua t’u kërkojë ndjesë dëgjuesve, pas vendosjes së një pjese nga Richard Wagner.

Kompozitori gjerman i shekullit të XIX vazhdon të mbetet i diskutueshëm në vend, për shkak të atij që konsiderohet si antisemitizëm ngjitës i muzikantit të madh, si dhe faktit që preferohej shumë nga Hitleri.

Kjo është arsyeja në momentin kur tingujt e pjesës së tij “Götterdämmerung” u dëgjuan në radion që transmeton shumë muzikë klasike, pati reagime të forta.

Në apologjinë e tyre, drejtuesit e radios thanë se redaktori përgjegjës kishte gabuar në “zgjedhjen e tij artistike” dhe se Wagneri nuk do të vendoset më aty.

Në mënyrë të veçantë, ata theksuan se e kuptojnë dhimbjen që mund t’u ketë shkaktuar ky moment të mbijetuarve të Holokaustit.

Puna e Wagnerit përmban mjaft pikëpamje mbi pastërtinë racore. Kompozitori ishte gjithashtu autori i një pamfleti me titull “Judaizmi në muzikë”, ku dilte në përfundimin se hebrenjtë janë të paaftë për shprehje artistike.

Historia e muzikës klasike, sakaq, është e mbushur me emra kompozitorësh e interpretuesish të mëdhenj, të cilët janë hebrenj.

Top Channel