Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë biseduar me telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell mbi arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Vetë Thaçi rrëfeu se gjatë kësaj bisede, me zyrtarin e lartë amerikan janë pajtuar që të shtohen përpjekjet për arritjen e një ujdie e cila t’i mbyllë një herë e përgjithmonë armiqësitë dy vendeve.
Mitchell, sipas kreut të shtetit kosovar, është zotuar se Prishtina do të ketë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në këtë proces.
Vuçiç nga ana tjetër është shprehur se Washington i jep përkrahje të plotë procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe shpreson për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.
Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se presidenti serb i ka komunikuar Mitchellit se “do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje, por ai do të bëjë gjitha çfarë është e mundur për qëndrueshmërinë afatgjate ne Ballkanin Perëndimor.
As njëri dhe as tjetri nuk i kanë përmendur idetë e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndonëse gjatë ditëve të shkuara kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje që do të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
Gjate ditës, Thaçi i përballur me reagime të ashpra në Kosovë lidhur me idenë e tij të korrigjimit të kufijve u takua edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie si dhe atë amerikan në Serbi, Kyle Scott, për të diskutuar procesin aktual politik me Beogradin.
Top Channel