Kosova, drejt liberalizimit. “Dritë jeshile” nga komisioni i rëndësishëm në PE

30/08/2018 10:13

Kosova i afrohet edhe më shumë lëvizjes pa viza. Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Punë të brendshme, i njohur si Komiteti “LIBE”, votoi të enjten në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Me 30 vota pro, 10 kundër dhe dy abstenime, ai e kaloi çështjen te Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian, dy institucionet e tjera nëpër të cilat duhet të kalojë çështja, në mënyrë që procesi të përmbyllet.

Raportuesja për Kosovën në këtë komision, Tanja Fajon tha se “ky është një hap i rëndësishëm për të afruar Kosovën me Europën dhe për të thyer izolimin”.

Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos mirëpriti vendimin, duke shfaqur shpresën se shumë shpejt do të vijë koha që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jete pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza.

Votimi është përshëndetur edhe nga autoritetet më të larta në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi foli për një vendim të drejtë, që e afron vendimin final të heqjes së çdo pengese të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në zonën “Schengen”.

Kryeministri Ramush Haradinaj është i sigurtë se procesi i liberalizimit të vizave do të përfundojë me sukses, ndonëse nuk jep ndonjë afat kohor. Ndërsa kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli shprehu bindjen se lëvizja e lirë do të mund të realizohet brenda vitit.

Më 18 korrik, Komisioni Europian dha rekomandimin e parë pozitiv për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA