Thaçi: Tërësinë e Kosovës e garanton Kushtetuta, jo deklaratat emocionale

29/08/2018 21:08

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi të mërkurën opozitën për shkak të qëndrimit të saj kundërshtues ndaj ideve të tij për “korrigjimin e kufirit” si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një postim në facebook, ai shkroi se që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot, Kosova asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB. Pra, përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë, në anën tjetër kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë”.

Kjo situatë është për keqardhje, shkruan ai duke nënvizuar se “sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë. Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme”, shkruan ai.

Partitë opozitare në Kosovë synojnë që më 4 shtator të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet “i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës”.

​Madje edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do të mbështesë një rezolutë të tillë duke nënvizuar se qeveria e tij mbështet marrëveshje ligjore detyruese mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA