Përpara 7 shtatorit, kur është caktuar të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, partitë opozitare në Kosovë kanë ndërmend të paraqesin një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, e cila nuk do ta lejonte Thaçin të diskutonte temën e kufijve.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se nëse format institucionale nuk e ndalin presidentin të debatojë për korrigjim të kufijve, atëherë përpjekjet do t’i vazhdojnë me protesta në rrugë.
Ideja e kreut të shtetit kosovar nuk po gjen përkrahje nga spektri politik, madje disa e konsiderojnë të rrezikshme për vendin, sepse sipas politikanëve atje, Kosova në këtë mënyrë do të humbiste Veriun.
Mësohet se lidhur me këtë çështje, LDK-ja ka marrë mbështetjen e Vetëvendosjes dhe PSD për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, para datës 7 shtator e këtu do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për të.
Top Channel