“Nëse Kosova dhe Serbia bien dakord, ne nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve”. Është përfolur se Shtetet e Bashkuara po e mbështesin në heshtje idenë e korrigjimit të kufijve, të cilën e kundërshton nga ana tjetër me forcë Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Por, gjatë një vizite në Kiev, ku mori pjesë në ceremonitë e 27-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton preku për të parën herë haptazi çështjen e Kosovës, që kur ka nisur të diskutohet kjo mundësi.
“Shumë njerëz kanë bërë përpjekje të ndërmjetësojnë në mosmarrëveshjet mes Kosovës e Serbisë, por kanë dështuar”, kujtoi Bolton.
“Ndërsa tani ka shenja se të dyja qeveritë janë të vullnetshme, që të negociojnë për këtë. Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që, nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial. Qartazi është një çështje e vështirë. Nëse nuk do të ishte, do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Por, ne nuk do të qëndrojmë në rrugë dhe nuk mendoj që kushdo në Europë do të qëndrojë në rrugë, nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme”, citohet të ketë thënë zyrtari i lartë i administratës amerikane.
Presidenti Aleksandar Vuçiç angazhohet për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Prishtina, nga ana tjetër, e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë në debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj, Hashim Thaçi, për “korrigjimin e kufirit”, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, rajonit me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
Top Channel