Tragjedi në Xhenova, dhjetëra të vdekur pas shembjes së urës

14/08/2018 13:03

Një urë është shembur rreth mesditës së kësaj të marte në afërsi të qytetit verior të Xhenovas, në Itali. Ura, pjesë e superstradës A10, është rreth 100 metra e lartë dhe ka raporte për të paktën 22 njerëz të vdekur, mes të cilëve një fëmijë, sikurse edhe makina të mbetura nën rrënoja.

Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, një pjesë në shtratin e një lumi, por të tjera mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të.

Madje, një kamion ka mbetur mrekullisht i ndaluar në fund të pjesës, që i ka mbijetuar incidentit.

Skuadrat e emergjencave kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Flitet për më shumë viktima, me siguri mbi 22, pasi 8 raportohen të plagosur në gjendje të rëndë, por numri mund të rritet pasi zjarrfikësit po përpiqen të nxjerrin njerëzit e bllokuar në makinat e tyre nën rrënoja.

Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera. E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.

Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor. Autostrada është mbyllur në drejtimin Xhenova-Savona dhe gjithashtu në drejtimet Milano-Xhenova dhe Xhenova-Aeroport.

Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, pa pushim, ndërsa Mbrojtja Civile kishte shpallur alarmin “portokalli”.

FOTO GALERI
2/23

Top Channel