Në Tiranë diplomatët janë pro dhe kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pretendimi i presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh, duke marrë Luginën e Preshevës pa i dhënë asgjë nga Kosova Serbisë, është shumë i bukur për të qenë i vërtetë sipas ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.
“Marrja e komunave vërtetë duket pozitive, por nuk jemi naivë të pranojmë se në shkëmbim të çfarë gjëje po bëjmë”, shprehet Agim Nesho.
Sikundër ish-ministri ynë i Jashtëm, Arjan Starova, ideale konsideron njohjen e Kosovës nga Serbia siç është.
“Mundësia më ideale do të ishte që Serbia ta njohë Kosovën kështu siç është”, thotë ai.
Teza e Thaçit nuk duhet paragjykuar sipas Starovës. Koha e turbullt me situata të paparashikueshme sigurie në botë, kërkon që kjo çështje të zgjidhet një herë e mirë.
“Në qoftë se ky mirëkuptim parashikon dhe ndryshime kufijsh apo shkëmbime territoresh apo shkëmbime popullsish për mua nuk ka rëndësi. Të mbyllet një kapitull dhe të hapet një kapitull i ri marrëdhëniesh jo vetëm mes serbeve e shqiptarëve por dhe në Ballkan”, shton Starova.
Por falë këmbënguljes së fortë të SHBA-së dhe BE-së Kosova është sanksionuar në Kushtetutë si shtet i pavarur multietnik.
“Çdo negociata do të jetë poshtë pikës së negociuar në ‘99 dhe të drejtave që dha gjykata ndërkombëtare e Hagës, prek thelbin e krijimit të Republikës së Kosovës”, shprehet Agim Nesho.
Duke hapur derën për rinegociim të skemave të tjera provokohen konflikte të reja etnike ndaj kjo është çështje të mëdhenjsh jo të vegjlish.
“Një vendim i tillë tejkalon protagonizmat e liderëve të vegjël ballkanikë dhe kërkojnë garancinë e fuqive të mëdha botërore”, shton Agim Nesho.
“Nëse aktorët ndërkombëtar hyjnë në lojë duke ju referuar parimit se Kosova është rast unik atëherë pengohet që ky proces të jetë një proces zinxhir për në Ballkan apo më gjerë dhe këtë garanci e japin aktorë të tjerë madhorë, fuqitë e mëdha”, shton Arjan Starova.
Por nga ana tjetër një marrëveshje lokale me tezën e propozuar nga presidenti Thaçi, mund të jetë thjesht karta që Rusia po pret ta ketë në dorë.
“Vladimir Putin e ka krahasuar Krimenë me Kosovën”, thekson Nesho.
Top Channel