“Korrigjimi i kufirit” sipas modelit belgo-holandez…

09/08/2018 13:57

“Te ndjekim modelin e Holandës dhe Belgjikës”.Kjo është deklarata që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha për Top Channel, dy ditë më parë, dhe përbën në të vërtetë edhe një nga të paktat detaje të elaboruara prej tij në mbështetje të tezës për rishikimin e kufijve të Kosovës në kuadër të finalizimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, cili është modeli të cilit i referohet ai. Holanda dhe Belgjika, kanë rregulluar paqësisht kufijtë e tyre kombëtarë, duke shkëmbyer një pjesë toke, në përpjekje për të zgjidhur një makth juridiksioni policor në kufi.

Zona e diskutuar kishte përmasat e 27 fushave futbolli dhe gjendej në lindje të qytetit belg, Vise dhe në perëndim të fshatit holandez Eijsden dhe përgjatë lumit Meuse. Nga 2018, kufiri i vendeve kalon tani mespërmes lumit me Holandën që ka marrë kontrollin e rreth 16 hektare tokë të re ndërkohë që Belgjika ka fituar rreth 3.5 hektare tokë.

Ndryshimi u bë pasi një gadishull i vogël mbi lumë, fitoi reputacion për mungesë ligji atje për shkak të vështirësive gjeopolitike të policimit atje nga ana belge, që në letra e kontrollonte atë.

Katër vite më parë, një trup pa kokë u gjet në gadishull, dhe autoritetet holandeze nuk mund të hetonin krimin pasi ai kish ndodhur në belgjikë. policia belge në anën tjetër kishte vështirësi të arrinte në zonë dhe mund të shkonte atje vetëm me varka.

“Marrëveshja tregon se kufijtë mund të shkëmbehen edhe paqësisht”, tha ministri i jashtëm belg, Didier Reynders pas nënshkrimit të saj. Sidoqoftë, kufiri holandezo-belg është më pak racional në zona të tjera, me fshatin Baarle Hertog, në veri lindje të Antverpit që është i ndarë mes për mes me disa biznese e ndërtesa që një pjesë e kanë në anën belge e tjetrën në atë holandeze.

Të dyja vendet janë anëtare të zonës “Shengen”, çka do të thotë se nuk ka kontrolle në kufi, dhe në praktikë, situata është kryesisht një kuriozitet turistik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA