Pavarësisht se zërave jo të paktë që ka kundër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duket se s’ka ndërmend që të tërhiqet nga propozimi i tij për bashkim të Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën.
Përmes një statusi në Facebook, Thaçi shpreh bindjen se korrigjimi i kufijve mund të arrihet në mënyrë paqësore, e për ata që sipas tij mendojnë se kjo është një ide e keqem ai ka një mesazh.
“Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, shkruan Thaçi.
Në statusin e tij, ai sqaron se ky vendim i takon qytetarëve të Kosovës, e për këtë arsye sipas tij është e domosdoshme që të zhvillohet një referendum.
“Në një situatë të tillë, vertet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, shkruan Thaçi.
Top Channel