Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi rritjen e gatishmërisë së institucioneve të rendit dhe ligjit në ditët që vijnë.
“Gjendja e sigurisë në rend dhe ligj është e qetë dhe e qëndrueshme, por megjithatë kemi kërkuar rritjen e gatishmërisë për veprim, në rast të çfarëdo prishjeje të rendit dhe ligjit”, tha kryeministri i Kosovës.
Deklarata e Haradinajt vjen pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që vjen në një kohë kur po përfliten skenarë nga më të ndryshmit, përfshirë atë të një shpalljeje të mundshme të autonomisë të veriut me shumicë serbe, në skadencën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian për hartimin e statutit të asociacionit të komunave serbe.
“Askush nuk e ka të drejtën të marrë obligime të njëanshme. Nëse dikush merr veprime të njëanshme, atëherë ato veprime janë jashtë ligjit të Kosovës dhe jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha Haradinaj.
Por, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka drejtuar një letër të hapur qytetarëve serbë në Kosovë, ku nënvizon se nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi ta dhe as përndjekjen e tyre.
Ai i është lutur serbëve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë veprim, pasi kjo mund të shfrytëzohet nga shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdolloj aksioni ndaj tyre.
Apeleve për vetëpërmbajtje i është bashkuar edhe BE, që përmes një deklarate të zyrës së kryediplomates Federika Mogherini, i ka kërkuar Prishtinës dhe Beogradit të mos ketë tensione në Kosovë, që mund të dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Presidenti Thaçi ndërkohë vazhdon të këmbëngulë për korrigjim kufijsh dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, duke përjashtuar opsionin e ndarjes të ndonjë pjese të Kosovës për t’iu bashkuar Serbisë.
Mediat në Kosovë dhe Serbi po paralajmërojnë për tensione të mundshme në veri, gjatë fundjavës. Sipas tyre, kjo është e lidhur me dorëzimin e draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që pritet të jetë gati të shtunën.
Top Channel