“Ne kemi armiq në shumë vende perëndimore, keni parë atë që kemi pasur me britanikët në ditët e fundit. Ne luftojmë të vështirën, në kushte thuajse të pamundura, për të bërë më të mirën për popullin tonë. Ne jemi duke luftuar për Kosovën kundër 19 vende të botës”.
Kështu është shprehur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç teksa ka folur sot për të gjitha sfidat në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe situatën në rajon.
Presidenti tha se nuk do donte ndonjë konflikt me shqiptarët, apo ndonjë popull tjetër. Presidenti serb iu është referuar bombardimeve të vitit 1999 duke thënë se nuk është reaguar me kohë.
“Unë jam duke u përpjekur që të shpreh diçka të mirë për popullin serb, sepse në qoftë se ky trend vazhdon, nuk do të ketë më njerëz në Kosovë. Ne jemi duke u përpjekur të ruajmë të shenjtën në Kosovë. Ne jemi duke luftuar për të ruajtur paqen për fëmijët tanë, sepse unë e di se kam punuar shumë për të ruajtur paqen në rajon”, ka shtuar ai.
Ai theksoi po ashtu se arrestimi i Marko Gjuriç në Kosovë ishte një provokim brutal.
Presidenti serb ka folur edhe për kundërshtimet politike nga opozita në Serbi duke thënë se po mban një politikë paqeje dhe stabiliteti që është e rëndësishme për popullin serb.
“Unë do të dal me plan nëse është e mundur të cilin do t’ia përcjell edhe publikut. Nuk do të punoj kundër popullit tim dhe nuk do ta mashtroj”, ka thënë ai.
Ai shtoi gjithashtu se kurrë nuk ka pasur sekrete dhe ka takuar shqiptarët vetëm në prani të zyrtarëve të bashkësive ndërkombëtare.
“Mua më duket se amerikanët për herë të parë kanë treguar dëshirën për një zgjidhje rreth Kosovës, ndryshe nga disa të tjerë që nuk besoj se duan. Pa botën nuk mund ta zgjidhim problemin rreth Kosovës”, ka thënë Vuçiç.
Top Channel