Një bandë hajdutësh kanë vjedhur dy kurora dhe një rruzull nga koleksioni i familjes mbretërore të Suedisë, duke arritur madje të arratisen me një motobarkë pas plaçkitjes.
“Artefaktet e paçmueshme u rrëmbyen nga një katedrale në Strangnas, rreth një orë larg periferisë perëndimore të kryeqytetit Stockholm, gjatë orëve të drekës së të martës”, ka deklaruar policia.
Grabitësit thyen xhamin e qelqtë, ku ruheshin dy kurorat dhe rruzulli që prej shekullit të XVII, sende të Mbretit Karl IX dhe bashkëshortes së tij, Mbretëreshës Kristina. Më pas, ata u arratisën me një motobarkë që i priste vetëm disa qindra metra më tej, në liqenin Malaren, i treti më i madh i Suedisë.
Deri më tani nuk është arrestuar askush, ndërsa nuk është identifikuar as edhe një i dyshuar i mundshëm, por policia ka vendosur të publikojë rastin e vjedhjes në mënyrë që të mund të rikuperojë artefaktet e vyera.
“Duam të përhapim informacionin dhe fotot e këtyre sendeve, në mënyrë që të mund të identifikohen si objekte të vjedhura”, tha zëdhënësi i policisë Thomas Agnevik.
Mbreti Karl IX ndërroi jetë në vitin 1611, ndërsa Mbretëresha Kristina në vitin 1625. Sendet janë aq të paçmueshme, saqë policia beson se vështirë të mund të shiten në treg të hapur.
“Ajo që ndodh zakonisht me të tilla objekte është se, herët a vonë ato do të rikuperohen. Kjo, për shkak se janë shumë të paktë ata njerëz, të cilët janë gati të zotërojnë të tilla sende me vlerë. Kemi shumë shpresë se do të mund t’i marrim mbrapsht ato”, tha Agnevik.
Top Channel