Në mes të kodrinave të mbuluara nga pyje, në Vietnamin qendror, dy duar gjigante betoni ngrihen nga toka për të mbajtur një urë të artë, të mbushur me vizitorë të mahnitur që bëjnë “selfie”, në atë që është edhe atraksioni më i fundit turistik i vendit.
E projektuar që t’i bëjë vizitorët të ndihen sikur po shëtisin mbi një rrugicë që qëndron mbi “duart e Zotave”, ura e artë ka tërhequr turma vizitorësh që kur u hap në Ba Na Hills, afër Danangut, në qershor.
Imazhet e urës janë bërë virale në mediet sociale, madje duke surprizuar edhe vet arkitektin, që nuk e kishte imagjinuar se ideja do të tërhiqte kaq shumë vëmendje.
Në lartësinë 150 metra, ura gjarpëron përmbi pyje, në malet që së pari u zhvilluan nga kolonizatorët francezë, si një stacion malor në vitin 1919.
Sot, zona është një atraksion i madh për turistët, ka teleferikë, një replikë të një fshati mesjetar francez, përfshirë kështjella e katedrale, kopshte të kuruara mirë dhe një muze skulpturash dylli, ku nuk mungon Lady Gaga dhe Michael Jordan.
Vietnami në fakt është i famshëm për atraksione të ngjashme. Një instalacion në formën e një reje kristali, me 58 mijë gurë “Swarovski”, është ngritur në kodrinat e mbjella me oriz në Vjetnamin verior, ndërsa hoteli surreal “Crazy House”, në Da Lat, tërheq prej kohësh mijëra vizitorë kuriozë.
Vendi komunist tenton prej kohësh të rrisë numrin e vizitorëve dhe të pozicionohet si një destinacion që nuk duhet humbur në Azinë Juglindore.
Top Channel