Kosova i dha lamtumiren e fundit Adem Demaçit, aktivistit vetëmohues që bota e njeh si “Nelson Mandelën e Ballkanit”. Mijëra veta morën pjesë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të shquar që ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare.
Ceremonitë filluan në qendër të Prishtinës ku morën pjesë zyrtarë të lartë të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë. Mjaft prekëse ishte fjala e vajzës së tij, Abetare Demaçi që tha se kishte një baba, te cilin e ndau me të gjithë shqiptarët.
“Para se të vdiste më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai”, u shpreh ajo.
Presidenti Hashim Thaçi, u shpreh se kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jetoi për një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia. Rininë, shpirtin e talentuar e plot dhunti dhe moshën e burrërisë, Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgje jugosllave, pa u thyer dhe pa u mposhtur asnjëherë”, tha Hashim Thaçi.
Te pranishmeve iu drejtua dhe Kreu i Shtetit shqiptar, Ilir Meta, që përcolli mesazhin se Demaçi, u shndërrua në shembull për të gjithë shqiptarët.
“Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u bërë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit”, tha Meta.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Adem Demaçi, nuk u ndal as kur u ndalen të tjerët.
“Kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota”, u shpreh ai.
I pranishëm ishte edhe kreu i BDI, Ali Ahmeti.
I lindur në vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Top Channel