Ka përfunduar në Kakavijë operacioni ndërkombëtar “Drino”, i cili bashkoi ekspertë të sigurisë kufitare dhe parandalimit të krimeve të trafikimit nga 9 vende së bashku me ekspertë të Europolit.
“Më shumë se 50 persona u ndaluan gjatë operacionit të përbashkët. Kakavija nuk u zgjodh spontanisht si stacion i operacionit. Kjo erdhi pasi u kryen vlerësime në kufijtë e gjelbërt në perëndim të Ballkanit dhe vumë re që kufiri jugor shqiptar së fundi është ekspozuar ndjeshëm. I gjithë operacioni ndihmoi në kryerjen e shumë intervistave më refugjatë por edhe me shfrytëzues të trafikut. U zbuluan të dhëna domethenese mbi kontakte telefonike të trafikantëve dhe kanalet kryesore të trafikut në rajon. Të gjitha të dhënat po përpunohen dhe rezultatet e këtij operacioni do të bëhen të dukshme së afërmi në të gjithë rajonin, jo vetëm në Shqipëri”, thotë Anton Travner, kreu i DCAF.
Gjatë operacionit 9 patrulla oficerësh të policive kufitare nga Shqipëria, Austria, Bosnja, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Sllovenia punuan për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e kufirit në mënyrë të koordinuar. Sipas zyrtarëve gjatë këtyre ditëve ra ndjeshëm numrit të refugjatëve që tentuan të hyjnë në Shqipëri.
Top Channel