Në një takim me bizneset e turizmit në Himarë ministri i Financave Arben Ahmetaj bëri të ditur se qeveria do të investojë rreth 250 milionë lekë për infrastrukturën në zonat turistike.

“Është një projekt shumë i madh rreth 74 milion dollarë që vjen nga Banka Botërore, që po investohet në Unazën e Jugut, ku përfshihet gjithë kjo zonë. Projekti tjetër është projekti i Bankës Botërore, po me të njëjtën logjikë, por me këto rrugët që i quajmë rajonale, rrugë dytësore. Pra, jo rrugët kryesore, por rrugët dytësore. Ka dhe një projekt tjetër po në të njëjtën paketë, që është midis BERZH-it dhe Komisionit Europian, 60 milion euro është kredi dhe 40 milion euro është grant që na e jep Komisioni Europian po për të njëjtën gjë. Paketa e gjithë shkon tek 250 milion euro”, tha ai.

Ministri Ahmetaj tha se brenda qeverisë po diskutohet gjithashtu propozimi që nga viti i ardhshën të ketë një fond parapërgatitor për bashkitë, për turizmin, për shërbime që fillojnë nga pastrimi e ndricçmi deri tek nevojat e infrastrukturës së vogël

Duke folur për turizmin, Ahmetaj tha se sektori këtë vit po tregon ritme shumë pozitive, duke iu afruar nivelit dy-shifror. Në përgjigje të sfidës së rritjes së shifrave, ai tërhoqi vëmendjen në dy elementë kryesorë, formalizimi dhe cilësia e shërbimeve.

“Siç e shikoni, qeveria i ka dhënë një rëndësi të veçantë formalizimit të ekonomisë. Brenda formalizimit të ekonomisë, unë patjetër i vë theksin gjithë përgjegjësive tatimore që kanë bizneset e zonës, por edhe detyrimin për të regjistruar punonjësit. Pjesa tjetër ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shërbimet që afrohen në territor nga sipërmarrjet tuaja, sidomos në një peridhë ku turizmi është kthyer në furnizuesin kryesor ekonomik të zonës.

Ministri tha se administrata tatimore dhe strukturat e hetimit janë fokusuar në zonat bregdetare ndërsa kërkoi ndërgjegjësimin e bizneseve për përmbushjen e përgjegjësive tatimore, duke i ftuar njëkohësisht të denoncojnë cdo rast të mungesës së etikës profesionale dhe abuzimit nga ana e inspektorëve.

Ndër çështjet e tjera të ngritura me interes nga sipërmarrja ishin nevojat për më shumë investime nga Bashkia në infrastrukturën dytësore, ndriçimin, kanalizimet e ujërave të zeza, menaxhimin e mbetjeve, sistemimin e parkimeve.

Top Channel