“Evropa dje ka çliruar qytetarët e vet. Ne jemi evropianë. Fakti që na është njohur se kemi përmbushur të gjitha kushtet, është sukses i Evropës”.
Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj teksa foli për rekomandimin e dhënë një ditë më parë për liberalizimin e vizave.
Ai shprehur bindjen e përmbushjes së kritereve në këtë proces. “Me këtë privilegj vijnë obligime shtesë dhe unë jam i bindur se do t’i përmbyllim obligimet tona në këtë proces. Mirëpresim rekomandimin e djeshëm dhe besojmë se përmes Parlamentit dhe shteteve individuale, do të korrim sukses në këtë rrugëtim. Edhe shtetet tuaja kanë vlerësuar se ne si Kosovë po i kryejmë detyrat e shtëpisë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Teksa ishte në një takim me një grup prej 64 studentë, nga 31 shtete të ndryshme të botës, pjesëmarrës të Akademisë Verore Ndërkombëtare në Kosovë, Haradinaj tha se arsyeja pse Kosova ka qenë shumë me fat, është trajtimi i mirë që i është bërë nga shumë shtete të botës.
“Kosova është ndihmuar në kohën e krizës dhe në vazhdimësi nga shumë vende, madje edhe në ditët e sotme. Qeveria që unë drejtoj, ka një qasje për të përfunduar listën e punëve të shtëpisë, listën e gjërave që duhet bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo është ajo në të cilën jam fokusuar. Disa rezultate tashmë po i shohim, por kemi ende sfida para nesh”, tha kryeministri Haradinaj.
Top Channel