Bypass-et e Fierit dhe Vlorës. Gjiknuri: Tenderi i ndërtimit në fillim të gushtit

17/07/2018 15:17

Pas disa vitesh zvarritjeje, tenderi për ndërtimin e dy nyjeve rrugore më të rëndësishme të jugut, “bypass”-in e Fierit dhe atë të Vlorës pritet të hapet në fillim të muajit tjetër.

“Janë 10 kompani që janë parakualifikuar. Ne presim që brenda gushtit të lidhen kontratat dhe të nisë puna me qëllim që për verën tjetër të kemi të përfunduar “bypass”-in e Fierit, kurse ai i Vlorës do të marrë më shumë kohë”, deklaroi Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Saga e ndërtimit të dy nyjeve ka filluar që në vitin 2012. “Bypass”-i i Fierit duhet të kishte përfunduar në prill të 2016, ndërsa ai i Vlorës vitin e kaluar. Por të dy veprat u lanë në mes, pasi kompania ndërturse, italiania “Serenissima” falimentoi.

“Na është dashur një punë shumë e madhe për të anuluar kontratën me kompaninë ndërtuese”, shpjegoi Gjiknuri.

Por “bypass”-et nuk janë nyjet e vetme të infrastrukturës me shtyrje pafund afati. Një tjetër vepër është rruga Tiranë-Elbasan, e cila duhet të kishte përfunduar që në vitin 2014: “Këto ditë do të rinisë puna në atë segment dhe jemi të bindur që brenda këtij viti ne do ta përfundojmë pjesën e mbetur. Përfshi pjesën e rrëshkitjes pas tunelit”.

Pesë vjet shtyrje dhe rritje kostosh. Në rastin e rrugës Tiranë-Elbasan kostoja gati është dyfishuar krahasuar me vlerën që u tenderua në fillim. Për qeverinë, fajin e ka qeveria e mëparshme, që i nisi rrugët pa projekt dhe me kontrata abuzive, por demokratët thonë se të tre veprat janë simbol i paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë aktuale.

Top Channel