Pavarësisht ngecjeve e ndonjë momenti dyshimesh, bisedimet Prishtinë-Beograd më në fund po marrin udhë sërish.

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini caktoi të mërkurën e 18 korrikut, si datën e raundit të ri të negociatave të zvarritura dypalëshe.

Në njoftimin e zyrës së saj thuhet se, në takimin ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të shqyrtohet përparimi në diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për planet dhe hapat e ardhshëm për t’u siguruar se puna do të vazhdojë më një ritëm të përshpejtuar.

Muajin e kaluar, të dyja palët ishin pajtuar “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Europian.

Por, se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje është ende e paqartë. Prishtina këmbëngul që ujdia të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi, kundërshtar i ashpër i Pavarësisë së Kosovës, kërkon “kompromis”, pa e qartësuar se cili mund të jetë ai.

Një pjesë e politikanëve në Serbi, tashmë e kanë përsëritur se zgjidhja mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA