Pozicioni i Serbisë është i qartë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por qëllimi i saj nuk është të gjejë zgjidhje të shpejta.
Ky ishte qëndrimi i ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç gjatë konferencës “Shqipëria dhe Serbia me ç’rrugë do të ecim”, organizuar në Beograd nga 2 agjencitë e lajmeve “Tanjug” dhe “ATSH”, me pjesëmarrjen e analsitëve e historianëve të njohur, mes të cilëve nga Tirana, Piro Misha e Mustafa Nano. Ndonëse mbrojti idenë se dy popujt duhet të nxjerrin mësime nga e shkuara, Kosova mbetet pika kyçe e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Serbisë, për të cilën Daçiç tha se do të vijojë aktivitetin diplomatik për tërheqjen e njohjeve.
“Në Kosovë është origjina jonë dhe rrënjët e shtetësisë sonë. Beogradi nuk e sheh çështjen e Kosovës si diçka të zgjidhur!” Thotë ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Serbisë.
“Unë kam qene gjithmonë për atë që problemet të zgjidhen në mes të shteteve amë, pasi në Prishtinë jetojnë shqiptaret dhe jo kosovarët. Ne duam marrëdhënie të mira me Tiranën, kurse me Prishtinën duam të zgjidhim një problem konkret që kemi. Sigurisht që do të ketë shume problem edhe për Serbinë edhe për Kosovën nëse nuk zgjidhet problemi, e sidomos në rrugën drejt BE-së. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm edhe ne në Beograd edhe ata në Prishtinë. Kjo do të thotë se duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme që do të largoje problemet. Jo vetëm në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, por edhe ato që kanë të bëjnë me rrugën evropiane të Serbisë, por edhe atë që Kosova mendon se është zgjidhur. Është I nevojshëm kompromisi dhe një zgjidhje e mesme”, tha Daçiç.
Ndërsa konferenca nxit debatin për të ardhmen, dialogun me dhe për njëri-tjetrin, për të kuptuar çfarë na ndan e çfarë na bashkon dhe një rikonceptim te marrëdhënieve shqiptaro-serbe, në qendër të Beogradit, para selisë së Parlamentit qëndrojnë prej disa vitesh këto parulla që vazhdojnë të kultivojnë tek serbët mitin e një Serbie viktimë, të pafajshme e të përvuajtur duke vijuar të mbajnë gjallë urrejtjen ndaj shqiptarëve.
“Bëhet fjalë për shoqatën e të zhdukurve dhe të rrëmbyerve nga Kosovaret dhe ky është një aksion i tyre në shumë vende dhe I kanë vendosur edhe para Kuvendit. Ne nuk mund të harrojmë të kaluarën tonë, por të gjithë së bashku duhet të kthehemi në zgjidhjen e problemeve të tanishme dhe të drejtohemi nga e ardhmja. Duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe në përgjithësi me shqiptarët. Të zgjidhim problemet që kemi dhe do të jemi më të fuqishëm se sa kur grindemi”, u shpreh Daçiç.
Top Channel