FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Shqiptarët paguan mbi 78 milionë euro gjatë vitit të kaluar vetëm për 3 kompani koncesionare, që kryejnë shërbime monopol të mbrojtura me kontrata qeveritare.
Të dhënat zyrtare nga bilancet e dorëzuara në QKR tregojnë se, koncesioni i Aeroportit të Rinasit, ai i Pasaportave dhe Skanimi në dogana faturuan në total 9.8 miliardë lekë për 2017-n, duke realizuar norma fitimi neto që shkojnë deri në 38 për qind.
Sipas bilanceve, lista kryesohet nga koncesioni i Aeroportit të Rinasit. Për vitin e kaluar, kompania “Tirana International Airport” arkëtoi rreth 6 miliardë lekë të ardhura nga tarifat aeroportuale, nga të cilat rreth 2.3 miliardë lekë ishin fitim neto.
Pas aeroportit, në vendin e dytë renditet koncesioni i pasaportave. “Aleat shpk” arkëtoi vjet rreth 2.3 miliardë lekë nga shitja e pasaportave dhe kartave të identitetit te qytetarët shqiptarë, përmes kontratës monopol që i ka dhënë qeveria. Edhe kjo kompani ka një normë fitimi dyshifrore, saktësisht mbi 25 për qind, duke realizuar mbi 642 milionë lekë fitime për vitin e kaluar.
“S2 Albania”, kompania që ka koncesionin e skanimit renditet në vendin e tretë. Kjo kompani arkëtoi 1.56 miliardë lekë nga tarifat e skanimit për vitin e kaluar, duke patur një fitim neto prej 207 milionë lekësh.
Koncesionet monopol vazhdojnë të prodhojnë fitime të majme nga tarifat e vendosura mbi qytetarët, por edhe ato që paguhen nga buxheti i shtetit. Këto janë vetëm 3 kompanitë që kanë dorëzuar bilancet për vitin 2017. Por, numri i koncesioneve dhe fatura që paguajnë qytetarët për to është disa herë më e lartë sesa kaq.
Top Channel