Inaugurohet “Turbina”, Rama: Godina e TK e ka humbur bastin aventuresk

02/07/2018 21:20

Edhe njëherë kryeministri Edi Rama e theksoi që çështja e teatrit nuk ka më vend për diskutim. Ajo ngrehinë duhet shembur, sepse sipas tij, ajo pronë është e publikut dhe i takon vendimmarrësve të vendosin të ardhmen e saj.

“Sepse një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar nuk është prona private apo ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit, por është një mjedis i krijuar për publikun dhe u takon vendimmarrësve të votuar nga qytetarët që në bashkëpunim me specialistët e fushës. Kur flitet për godina nuk janë aktorët dhe regjisorët, por janë arkitektët dhe planifikuesit”, tha Rama, duke theksuar se Godina e vjetër e Teatrit Kombëtar e ka humbur bastin aventuresk kohë më parë.

Kryeministri theksoi edhe njëherë atë që për herë të parë deklaroi në prezantimin e projektit fillestar nga BIG studio për një kompleks të ri teatror ne vend të teatrit ekzistues. Kësaj here deklaratën e tij e bëri nga inaugurimi i qendrës së re të teatrit, baleti, muzikës e arteve pamore ARTurbina.

“Godina e një teatri kombëtar mund të jetë por dhe mund të mos jetë fare pjesë e historisë kombëtare të teatrit dhe në rastin tonë nuk është”, u shpreh Kryeministri.

Sipas kryeministrit pyetja e vërtetë e debatit duhet të jetë afrimi i audiencës në teatër dhe cilësia e artit të ofruar.

“Pyetja është çfarë duhet bërë për të mbushur gropat e mëdha që kanë lënë në teatrin tonë ikjet pa kthim të Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, të Agim Qriaqit, Vangjush Furxhiut, të Roland Trebickës, Bujar Lakos dhe me radhë se kur e shoh sot Robert Ndrenikën në tryeza për të ardhmen e godinës, më shumë seç mendon ai për godinën mua më pikëllon dukja e “Fundit e Mojkanit” i një historie talentesh të mëdha”, u shpreh Kryeministri.

Të enjten në Parlament, pritet të miratohen projektligji që i hap rrugën shembjes së teatrit kombëtar. Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka lajmëruar që të enjten në orën 10 do të jetë në një protestë për mbrojtjen e tetarit përballë Parlamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA