FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Përmes një vendimi të papritur, qeveria ka miratuar një tjetër koncesion në fushën e naftës, këtë herë për kontrollin e pompave të karburanteve. Procedura, e cila aktualisht kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do t’i kalojë një kompanie private për një periudhë 20-vjeçare.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave, përveç koncesionit ka miratuar edhe bonusin me 10 për qind të pikëve për kompaninë private që ka propozuar koncesionin, një shoqëri e quajtur “Noa Control”.
Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Noa Control” është një kompani e krijuar në prill të vitit 2015. Kjo kompani, e cila është edhe propozuesja e koncesionit, do të hyjë e avantazhuar në tender, pasi qeveria i ka dhënë sakaq bonusin prej 10 pikësh.
Por, çfarë është koncesioni i koalidimit të pompave të karburanteve? Sipas ligjit shqiptar, çdo pompë në stacionet e karburanteve koalidohet një herë në 6 muaj, për të verifikuar volumin, por edhe elementët e sigurisë. Ky shërbim, i cili aktualisht kryhet nga shteti, kushton 7 mijë e 200 lekë për çdo pompë që kontrollohet.
Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel se, në total ky aktivitet gjeneron 2 deri në 3 milionë euro të ardhura në vit. Në total, për 20 vitet e parashikuara të kontratës, ky koncesion pritet të gjenerojë rreth 50 milionë euro të ardhura, të cilat tani do t’i kalojnë privatit. Ky është koncesioni i dytë në fushën e karburanteve, pas atij të markimit, kostot e të cilëve rëndojnë mbi qytetarët në çmimin e naftës.
Por, koncesioni i pompave nuk është i vetmi që qeveria dha në mbledhjen e fundit. Paralelisht, ajo miratoi edhe koncesionin për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat, një vepër me vlerë 70 milionë euro, pjesë e programit 1 miliardë euro.
Sipas vendimit, bonusi për ndërtimin e kësaj rruge i është dhënë shoqërisë “Gjikuria”, e cila do ta ndërtojë me fondet e veta, e më pas do të shlyhet me këste nga buxheti i shtetit për 13 vite.
Top Channel