Me humbjen ndaj Meksikës, Gjermania jo vetëm zhgënjeu tifozët e saj anembanë botës, por duket se ka nxjerrë në pah edhe disa probleme në grup, të cilat ndonëse nuk diheshin, janë bërë të ditura nga mbrojtësi Mats Hummels pas ndeshjes.
Hummels ishte njëri prej dy qendërmbrojtësve, së bashku me Jerome Boateng, që u gjend shpeshherë në vështirësi në kundërsulmet e rrezikshme të meksikanëve, e për këtë arsye, mbrojtësi i Bayern Munchen nuk tregon aspak diplomaci.
“Problemet me mbulimin në mesfushë ishin të dukshme. Shpesh na lanë të vetëm mua dhe Boatengun në mbrojtje. Ishim paralajmëruar për një sjellje të tillë që në ndeshjet miqësore. Ndaj Meksikës kemi luajtur ekzaktësisht si ndaj Arabisë Saudite (miqësore e fituar 2-1), por përballë kishim kundërshtarë shumë herë më të mirë”, thotë Hummels.
“Kur sulmon me 7 apo 8 lojtarë, sigurisht që do të kesh më shumë forca përpara, por në prapavijë… Është diçka për të cilën kam folur shpesh në dhomat e zhveshjes dhe me sa duket nuk ka shërbyer”, ka thënë mbrojtësi pas ndeshjes.
Ndërkohë, për Toni Kroos, lojtarin që vrapoi më shumë nga të gjithë një ditë më parë për Gjermaninë, kjo ndeshje duhet lënë pas krahëve.
“Tashmë jemi nën presion. Duhet të bëjmë 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme”, ka thënë fantazisti i Realit të Madridit.
Top Channel