Krim pasioni në Tiranë, vret ish-të dashurën e qëllon mbi veten

08/06/2018 08:44

Krimi i pasionit godet sërish në Tiranë. Ishte ora 08:10 e mëngjesit të së premtes, kur Xhafer Mata i doli përpara Xhuljeta Çunit dhe i kërkoi që t’i riktheheshin lidhjes, pas ndarjes prej pak kohësh.

Pasi shkëmbyen disa fjalë në trotuar, 31-vjeçari nga Kukësi duket se ka hasur në refuzimin e 19-vjeçares nga Mati, e në këtë moment ka nxjerrë pistoletën duke e qëlluar në kokë. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Eshref Frashëri”.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Xhafer Mata ka qëlluar dy herë me pistoletë mbi Xhuljeta Çunin. Po sipas tyre, Xhafer Mata ka kërcënuar edhe disa qytetarë pranë një furre buke, e më pas ka qëlluar edhe veten.

Në gjendje të rënduar psikologjike, Xhafer Mata qëlloi veten po në kokë, në krahun tjetër të trotuarit. Ai ndërroi jetë dy orë më pas në spital, ndërsa në vendngjarje policia gjeti një pistoletë TT.

Sipas burimeve policore, 31-vjeçari rezulton i divorcuar nga një martesë e mëparshme, ndërsa uniformat blu nisën hetimet për ngjarjen e rëndë.

Pak muaj më parë, Mata kishte përfunduar studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës për Inxhinieri Logjistike dhe Prodhimi, ndërsa 20 orë para krimit ai kishte postuar në rrjetet sociale një poezi kushtuar nënës.

Ndërkohë, policia po verifikon nëse viktima Xhuljeta Çuni kishte denoncuar më parë Matën për ngacmim.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA