Ushqimet e pasigurta. Investigimi sonte, në “Gjurmë shqiptare”

02/06/2018 15:21

Çfarë konsumojnë sot shqiptarët? A ka siguri në këto produkte? Përse Shqipëria është kthyer në një valvul shkarkimi të produkteve në prag të skadencës apo më keq, të skaduara? Cilat janë problemet dhe a fshehin shumë prej tyre sëmundje të rrezikshme për konsumatorët? Sigurisht, e gjithë kjo situatë ka dy fytyra: atë historike, por edhe atë aktuale.

Si mundet të jemi të sigurtë për atë që konsumojmë, për hormonet e medikamentet e tjera që u jepen bagëtive pa konsulta në Shqipëri? A fshihet shpesh në tryezat tona rreziku dhe pasojat e tij? Çfarë qëndron pas kësaj amullie kaq shumëvjeçare e që prek çdo ditë gjithkënd prej nesh? A konsumojmë produkte të fryra me medikamente të ndaluara?

Kristaq Sini i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, thotë: «Di edhe unë nga informacionet që kam se ekzistojnë jo vetëm të 20 viteve më parë të ndaluara, por edhe të 40 viteve më parë, të cilat përdoren. Këtu është kontrolli që nuk ushtrohet siç duhet».

Kujtim Mersini, epidemiolog veterinar, thekson: «T’i japim përgjigje pyetjes: ajo që hamë është ajo çfarë transmetohet në shëndetin tonë? Dhe ne kemi goxha probleme edhe në shëndetin e popullatës humane përsa i përket sëmundjeve që vijnë nga kafshët».

Cilat janë këto medikamente të ndaluara që përdoren ilegalisht tek kafshët e shpendët e që rrezikojnë çdo ditë shëndetin tonë? Si tregtohen ato në qytetet e mëdha në Shqipëri dhe cilat janë pasojat? Një investigim që lidh të sotmen me të shkuarën, historinë me aktualen e që vjen sot në mbrëmje, në 20:10, në «Gjurmë shqiptare» të gazetarit Marin Mema, «Çfarë hanë shqiptarët?!».

Top Channel