Durrës, taksë kundër turizmit. Bashkia ndalon me tabela autobusët në zonën e plazhit

27/05/2018 19:35

Bashkia e Durrësit është kujdesur që gjatë sezonit veror t’ua vështirësojë edhe më shumë procedurat, sidomos turistëve të huaj që vijnë në bregdetin e Durrësit, por edhe atyre që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia.

Kjo, pasi Bashkia ka në fuqi një vendim që parashikon aplikimin e një takse për të gjitha mjetet e rënda, përfshi edhe autobusët që do të duan të sjellin turistë në zonën e plazhit, apo edhe në qytet.

Gjatë vëzhgimit të Top Channel konstatuam vendosjen e tabelave përgjatë të gjithë rrugës së plazhit, të cilat nuk lejojnë futjen e mjeteve të transportit të udhëtarëve, që nga furgonët 8+1 e deri tek autobusët. E për ata që do të duan të futen për të çuar pasagjerët në hotel, taksat variojnë nga 5.000 deri në 15.000 lekë, në varësi të kapacitetit të mjetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo, procedura për t’u pajisur me leje është më e vështirë sesa marrja e një vize. Bashkia i kërkon çdo shoferi, që para se të hyjë në Durrës duhet të paraqesë në bashki të dhënat e regjistrit tregtar, dëshmi penaliteti dhe vërtetim që subjekti ka shlyer detyrimet fiskale.

Këtë vërtetim e lëshon vet Bashkia, e shumë të tjera të cilat një drejtues autobusi nuk mund t’i ketë me vete. Pastaj duhet të presë që Bashkia të japë lejen dhe të paguaje edhe taksën. E gjitha është një kurth për të penguar hyrjen e këtyre mjeteve në qytet.

Një vit më parë ka pasur edhe konfrontime me drejtues të autobusëve të Kosovës, që sillnin turistë në plazhin e Durrësit, të cilëve u janë dëmtuar mjetet dhe janë kërcënuar nga operatorët vendas, taksi, që të mos futen në rrugën e plazhit. Për këtë vit, aplikimi i kësaj takse ende nuk ka filluar.

Por, nëse kjo taksë do të aplikohet, ashtu siç është paralajmëruar, atëherë drejtuesit e autobusëve shprehen se ajo është e lartë dhe se ata janë të paqartë sesi do të veprojnë.

E paqartë është edhe Policia Rrugore, e cila, edhe pse tabelat janë vendosur, nuk ka ndonjë urdhër apo udhëzim sesi do të veprojnë me autobusët që sjellin turistë në bregdetin e Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA