Në Gjykatë është depozituar këtë të enjte dhe kërkesa për rigjykim e dosjes “Hajdari”.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha kontaktoi me avokatin e Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla i cili tha se ka kërkuar rivendosjen në afat të çështjes.
“Ne kërkojmë rivendosjen në afat nëpërmjet kësaj kërkese kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës me nr. 316 i datës 29.04.2002 në ngarkim të të pandehurit Izet Haxhia i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 351 datë 09.07.2002, datë kur mori dhe formë të prerë vendimi.
Izet Haxhia është gjykuar në mungesë dhe për shkaqe madhore nuk ka patur mundësi të përfaqësohet. Por dhe për shkaqe të tjera do i shpjegojmë në kohën e duhur. Kjo pamundësi për t’u paraqitur vetë e ka lënë të hapur mundësinë proceduriale për ta rivendosur çështjen në afat duke paraqitur dhe argumentat përkatës që janë disa. Sepse për çështjen që ne flasim kemi dhe komunikim mes shteteve respektive si pjesën e ekstradimit, por dhe garancitë e shtetit shqiptar që është shprehur me dokumente shkresore për hapësirat e rigjykimit të çdo shtetasi në bazë të normës kombëtare dhe ndërkombëtare”, thotë në një prononcim për Top Channel avokati Bashkim Nikolla.
Izet Haxhia u ekstradua në Shqipëri pas 19 vitesh, ai është dënuar me 25 vite burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit.
Top Channel