Arrestohen 5 nga terroristët më të kërkuar të ISIS

10/05/2018 23:20

Iraku ka kapur 5 komandantë të Shtetit Islamik pasi shërbimet e tij të Inteligjencës i shtynë ata të kalonin kufirin nga Siria fqinje.

Zyrtarët irakianë i përshkruajnë ata si disa prej liderëve më të shumë kërkuar të ISIS. Ata janë identifikuar si Saddam al-Jammel, Mohamed al-Qadeer, Ismail al-Eithawi, Omar al-Karbouli dhe Essam al-Zawbai dhe u shfaqën para kamerave në uniformat e të burgosurve.

The “New York Times” raportoi se grupi ishte kapur si pjesë e një operacioni të kryer në koordinim me inteligjencën amerikane. Ndërkohë, lajmi është konfirmuar edhe nga Presidenti amerikan Donald Trump me anë të një postimi në “Twitter”.

Kryeministri irakian, Haider al Abadi, tha muajin e kaluar se ai do të merrte të gjitha masat e nevojshme kundër militantëve në Siri. Forca ajrore irakiane ka kryer disa sulme ajrore që nga viti i kaluar, kundër pozicioneve të ISIS në territorin sirian.

Abadi shpalli fitoren përfundimtare dhjetorin e shkuar, mbi grupin që kish futur nën kontroll një të tretën e Irakut në 2014.

Por, militantët vazhdojnë të përbëjnë rrezik përgjatë kufirit me Sirinë dhe kanë vijuar të kryejnë sulme, vrasje dhe shpërthime në Irak. Ndërkohë, në vend mbeten ende edhe rreth 5 mijë trupa amerikane të angazhuara me trajnimin e ushtrisë së vendit.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA