Mëngjesin e së enjtes, familja Buci në Kamëz nuk hapi si çdo ditë qepenin e minimarketit, por dyert e mortit.
Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e grabitësve, që i morën jetën 53-vjeçarit Agim Buci, ndaj për këtë arsye uniformat blu rritën shpërblimin për çdo informacion të vlefshëm deri në 5 milionë lekë.
Merita Buci vijon të jetë në spital, nën kujdesin e mjekëve. Ajo mori një plumb në këmbë, ndërsa bashkëshorti i saj nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Ata u përleshën me grabitësit në sy të djalit të tyre 6-vjeçar, i cili u fsheh poshtë banakut të marketit.
Në arkë nuk kishte më shumë se 9.600 lekë të xhiros ditore. Fqinjët e familjes Buci shprehen të shokuar për ngjarjen.
“Shumë punëtor, shumë njeri i mirë dhe i nderuar në lagje. I respektueshëm”, tha një banor i zonës.
“Ishte një shembull i një familjeje që mundohet të ndërtojë jetën në bazë të asaj ndershmërie, për të cilën është shumë e vështirë sot të gjesh fjalë”, tha një tjetër banor.
Familjen Buci e vizitoi edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili, teksa shprehu ngushëllime, foli për një situatë të rënduar të rendit.
“Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël ka marrë përmasa tronditëse. Në më pak se 4 javë, jo vetëm grabitjet janë bërë një lajm i përditshëm, por për fat të keq grabitjet janë shoqëruar me vrasje barbare, siç ishte rasti i mbrëmshëm në Kamëz, siç ishte rasti në Fier para disa javësh”, tha Basha.
Sipas burimeve, dy grabitësit kanë qenë të maskuar me kapela dhe, ndonëse janë fiksuar nga kamera e sigurisë jashtë minimarketit, nuk është bërë ende identifikimi i tyre.
Top Channel