Studimi “Toleranca fetare në Shqipëri”, Meta: Të forcojmë harmoninë fetare

25/04/2018 18:05

Është zhvilluar ditën e sotme ceremonia e prezantimit të studimit “Toleranca fetare në Shqipëri”, i realizuar nga Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim dhe PNUD dhe ku mori pjesë edhe Presidenti Meta.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, z. Brian Williams, drejtues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, etj.

Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Meta vlerësoi përpjekjen e rëndësishme të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe PNUD-it për të realizuar një studim që për nga natyra e brendia është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Shqipërinë.

“Studimi serioz “Toleranca fetare në Shqipëri” përpiqet të japë një pasqyrë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë në ditët e sotme. Në dokumentin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 1912 është nënshkrimi i disa prej klerikëve më të mëdhenj të kohës; Dom Nikoll Kaçorri, Myftiu Vehbi Dibra, Bab Dud Karbunara, etj. Këta por edhe shumë të tjerë, hodhën themelet e shteti shqiptar “të mosvarun”, të bashkuar dhe bashkëpërfshirës të të gjitha bashkësive fetare në vend”, – tha Presidenti i Republikës, duke theksuar rolin konstruktiv të udhëheqësve fetarë të vendit dhe i klerikëve në ndjekjen e traditës më të mirë të themeluesve të pavarësisë dhe në lartësinë e duhur historike të ndryshimeve demokratike në vendin tonë.

“Institucionet shtetërore sot kanë detyrë dhe obligim mbështetjen e institucioneve fetare në vend, sepse roli i shtetit për të ruajtur dhe inkurajuar në të ardhmen jo vetëm bashkëjetesën, por dhe dialogun, bashkëpunimin e harmoninë e përditshme mes bashkësive, qytetarëve dhe besimtarëve është i pazëvendësueshëm dhe shumë i rëndësishëm. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat e Bashkësive Fetare tradicionale në vend si edhe të grupeve më të vogla fetare dhe besimtarëve si individë. Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë”, – tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Presidenti i Republikës.

Më tej, ceremonia vijoi me prezantimin e raportit nga përfaqësuesit e Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA