Një sasi rekord kokaine, prej më tepër se 9 tonësh, është sekuestruar nga autoritetet spanjolle gjatë ditës së djeshme.
Sipas policisë në Spanjë, bëhet fjalë për sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë, që ishte nisur nga Kolumbia dhe kishte për destinacion portin e Algeciras.
Vlera në treg e kokainës besohet të jetë rreth 470 milionë euro, ndërsa paketimi i saj ishte bërë në një kontenier me banane.
Përveç ngarkesës, agjentët kanë arrestuar edhe 5 anëtarë të rrjetit ndërkombëtar që kishte për detyrë të priste lëndën narkotike në Europë.
Operacioni ishte koordinuar mes marinës kombëtare dhe policisë gjyqësore, që njoftuan policinë se ngarkesa ilegale po udhëtonte në bordin e një anijeje me emrin “Lucie Schulte”, e nisur nga Kolumbia.
Ngarkesa i përkiste një organizate, pjesë e klanit të Gjirit, që ka kontakte të shumta në portin e Spanjës, vend që është dhe një ndër tregjet kryesore të tij të konsumit të narkotikëve.
Top Channel