Operacion i madh në SHBA/ 34 fëmijë të zhdukur, përfshirë viktima të trafikimit, shpëtohen brenda 72 orësh

03/10/2026 18:03

Tridhjetë e katër fëmijë të raportuar të zhdukur në Queens dhe Long Island janë gjetur dhe rikthyer në siguri gjatë një operacioni të gjerë 72 orësh të autoriteteve, njoftuan zyrtarët të premten.

Operacioni, i quajtur “Long Island Children Rescue Operation”, u zhvillua nga e marta deri të enjten dhe i dha fund zhdukjeve që në disa raste kishin zgjatur nga disa ditë deri në 10 vjet.

Fëmijët e gjetur ishin nga 7 deri në 18 vjeç dhe pas gjetjes u lidhën me shërbime mbështetëse, përfshirë kujdesin mjekësor dhe nevoja të tjera bazë.

Sipas autoriteteve, pjesa më e madhe e fëmijëve ishin larguar nga shtëpitë me dëshirën e tyre, por disa prej tyre kishin rënë viktima të shfrytëzimit të rëndë dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Operacioni u koordinua nga një qendër komandimi në Garden City, në Nassau County, dhe përfshiu gati 100 profesionistë nga 40 agjenci dhe organizata.

Sipas të dhënave të raportuara nga “Newsday”, mes fëmijëve të gjetur ishin 18 nga Nassau County, 12 nga Suffolk County dhe 4 nga Queens. Megjithatë, sipas zyrës së guvernatorit, 31 raste të tjera të fëmijëve të zhdukur në zonë mbeten ende të hapura.

Mbi 10 mijë fëmijë u raportuan të zhdukur në vitin 2025

Superintendenti i Policisë së Shtetit të Nju Jorkut, Steven James, deklaroi se gjatë vitit 2025 në të gjithë shtetin u raportuan të zhdukur 10,629 fëmijë nën moshën 18 vjeç.

Rreth 94% e tyre u raportuan si fëmijë që ishin larguar nga shtëpia.

Gjatë të njëjtit vit, autoritetet mbyllën 10,672 raste të fëmijëve të raportuar të zhdukur gjatë vitit 2025 ose viteve të mëparshme. Në fund të vitit, megjithatë, 1,079 raste aktive të fëmijëve të zhdukur mbetën të hapura në të gjithë shtetin.

Ky ishte operacioni i katërt i madh i këtij lloji në Nju Jork. Në operacionet e mëparshme në Erie County, Capital Region dhe Westchester, autoritetet kishin gjetur gjithsej 168 fëmijë dhe adoleshentë të zhdukur.

Kevin Branzetti, drejtues i National Child Protection Task Force, theksoi se gjetja e një fëmije të zhdukur nuk është gjithmonë një operacion spektakolar.

“Gjetja e një fëmije shpejt, shpresojmë përpara se t’i ndodhë diçka e keqe, shpesh kërkon një përpjekje të koordinuar”, tha ai.

Sipas Branzettit, pas gjetjes së fëmijës puna nuk përfundon: autoritetet duhet të kuptojnë pse u largua, çfarë përjetoi gjatë kohës që ishte i zhdukur dhe çfarë ndihme i nevojitet.

Në shkurt, një tjetër operacion i gjerë në Westchester County kishte çuar në gjetjen e 43 fëmijëve të zhdukur ose të larguar nga shtëpia, me pjesëmarrjen e rreth 70 agjencive federale, shtetërore dhe lokale.

Top Channel