Një autobus turistik është aksidentuar në Korenë e Veriut, duke lënë të vdekur 36 persona, prej të cilëve 32 ishin kinezë dhe 4 koreano-veriorë.
Aksidenti ndodhi në provincën North Hëanghae, mesnatën e së dielës.
Media shtetërore kineze shfaqi pamjet e një autobusi turistik blu, të kthyer tërësisht mbrapsht, ndërsa pjesë të tij ishin shkatërruar.
Ekspertët përllogarisin se turistët kinezë përbëjnë rreth 80 për qind të turistëve të huaj që vizitojnë Korenë e Veriut, duke ofruar kështu një burim të rëndësishëm të ardhurash për regjimin e Penianit.
Kina është gjithashtu aleati më i afërt politik dhe partneri më i madh tregtar i vendit të izoluar komunist.
Më herët, rrjeti shtetëror kinez “CGTN” shkroi në Twitter se mbi 30 kinezë ishin vrarë pasi autobusi u rrëzua nga një urë, por postimi u fshi pak më vonë.
Edhe pse nuk ka një numër zyrtar për turistët që vizitojnë Korenë e Veriut, përllogaritet se rreth 100 mijë të huaj shkelin në vendin komunist çdo vit.
Turistët janë subjekt i kufizimeve të mëdha. Shumica e tyre duhet të shoqërohen me ekskortë gjatë të gjithë kohës së qëndrimit të tyre në vend, veçanërisht kur dalin nga hotelet e udhëhiqen nga guidat vendase, me punonjës të punësuar nga qeveria e Kim Jong-unit.
Top Channel