I fiksuar pas bixhozit dhe lojërave të tjera të fatit, duke harxhuar brenda pak muajve mbi gjysmë milioni euro.
Deri këtu, të gjithë do të mendonin se bëhet fjalë për një njeri “fatkeq” të fiksuar pas vesit të basteve dhe bixhozit, i cili ka shpenzuar paratë e xhepit të tij.
Por, nëse do të ishte kështu nuk do të përbënte lajm, pasi njerëz të tillë gjen plot nëpër botë. Rasti në fjalë është një prift i Famullisë së Spineas, pranë Venecias.
Don Flavio Gobbo u hetua nga prokuroria e këtij qyteti dhe në përfundim të hetimeve doli se i kishte shkaktuar një dëm prej më shumë se 500 mijë eurosh famullisë që drejtonte. Paratë ishin të gjitha të ardhura nga besimtarët si donacione në ndihmë të kishës dhe të varfërve.
Vetë Dioqeza e Trevizos, nga ku varet kjo famulli e ka pranuar këtë dhe thotë se prifti “mëkatar” po kurohet.
“Ka qenë gjithmonë në kontakt me ne dhe ka mbështetjen tonë, duke i ofruar ndihmën e nevojshme”, thuhet në deklaratën e kësaj dioqeze.
Dioqeza thotë se veç trajtimit kundër veseve, prifti Don Flavio Gobbo është zotuar që të kthejë mbrapsht të gjitha paratë dhe ka nisur ta bëjë këtë me këste.
Top Channel