Serbët do të presin edhe 3 muaj e gjysmë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke i dhënë drejtim tjetër ultimatumit të përfaqësuesve të Listës Serbe, se do ta krijonin vet këtë Asociacion nëse Prishtina dhe Brukseli nuk e bënin një gjë të tillë deri më 20 prill.
Pohimin e bëri vet presidenti Aleksandar Vuçiç, në prag të vizitës në Beograd të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila po viziton Ballkanin Perëndimor pas publikimit të raportit më të ri të Komisionit Europian mbi përparimin e vendeve të rajonit në rrugën drejt BE-së.
Kreu i shtetit serb i tha televizionit shtetëror atje se, dyshon që Prishtina do të përmbushë paralajmërimet e bëra ditë më parë, se brenda pak muajsh do të hartohet Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Ata kanë thënë se për 3 muaj e gjysmë do të dalin me Statutin. Atëherë do ta presim edhe këtë, – u shpreh Vuçiç. – Por nuk do ta shihni Statutin për 3 muaj e gjysmë. Po e mashtrojnë opinionin ndërkombëtar, opinionin e atyre që e kanë krijuar Pavarësinë e Kosovës”, shtoi ai.
Më 27 mars, Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohej nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe paralajmëroi se do të fillojë vet ngritjen e Asociacionit të shumëdiskutuar.
Qëndrimi i saj pasoi një ndërhyrje të Policisë së Kosovës, më 26 mars në Veri të Mitrovicës, duke arrestuar dhe dëbuar shefin e Zyrës serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili kishte hyrë në Kosovë pa lejen e Prishtinës.
Të premten, Gjuriç shkon prapë në Kosovë, por këtë herë e ka marrë “dritën jeshile” të Ministrisë së Jashtme të saj, për të ndaluar në Mitrovicën e Veriut.
Top Channel