Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, ish-drejtori i FBI-së James Comey nuk u shkarkua për shkak të hetimit për Rusinë, duke bërë një kthesë të beftë 180 gradë, që bie në kontradiktë me deklaratat e tij të mëparshme.
“Dredharaku Comey, drejtori më i keq i FBI-së në histori, nuk u shkarkua prej hetimit të Rusisë”, shkroi Trump në Twitter.
Por, fjalët e tij bien ndesh me një intervistë për televizonin “NBC” në maj të vitit 2017, kur tha se çështja ruse ishte një prej arsyeve kryesore që ai shkarkoi Comeyn.
Presidenti dhe ish-drejtori i FBI-së janë përballur ashpër, që kur Comey u shkarkua më 9 maj të vitit 2017. Por, përballja është përkeqësuar me publikimin e librit të ri të Comeyt, ku mes të tjerave ai e cilëson Trumpin si moralisht të papërshtatshëm për të qenë president.
Pavarësisht kthesave të Trumpit për këtë çështje, Shtëpia e Bardhë ka ruajtur qëndrimin se Comey u shkarkuar për keqmenaxhimin e hetimit për postën elektronike të Hillary Clintonit dhe se presidenti kishte humbur besimin tek ai që prej zgjedhjeve.
Ekspertët thonë se ndryshimi i arsyes së shkarkimit të Comeyt nga Trump thekson paqartësitë e presidentit, duke shtuar “arsenalin” e atyre që mendojnë se ai nuk është njeriu i duhur për postin e udhëheqësit të botës së lirë.
Top Channel