TVSH për biznesin e vogël, Ahmetaj: Mundësi për kreditimin

15/04/2018 19:07

Ministri i Financave ka dalë në terren për t’u shpjeguar sipërmarrësve të vegjël vendimin e qeverisë për uljen e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2 milionë lekë të rinj.

Ndalesa e radhës e Arben Ahmetajt ishte në qytetin e Shkodrës. Ai mbrojti vendimin e marrë nga Qeveria dhe këmbëngul se nuk do të ketë kosto shtesë për bizneset e vogla dhe as rritje çmimesh për konsumatorin.

Kemi diskutuar a do të ketë kosto? Ka filluar diskutimi deri tek “do marrim kontabilist dhe do të paguajmë”, e të tjera, e të tjera. Zero kosto! Madje po ju them që në bazë të proçedurës që është aq e thjeshtëzuar, do të jetë thjesht plotësim i katër kutive. Më thoni një sipërmarrje të vogël, sado e thjeshtë të jetë, që nuk e di se çfarë ka në inventar? Kemi thënë muaj e muaj, që nuk do të ketë ndryshim dhe rritje çmimesh. Përtej kësaj, deklarimi nuk është taksë, por është procedurë”, tha Ministri.

Ahmetaj deklaron se nuk hyrja në TVSH bizneset e vogla jo vetëm që nuk humbin, por përkundrazi.

“Ky inventar, pra skanimi i këtij inventari e ndihmon të deklarojë dhe madje të dalë me TVSH të kreditueshme dhe më vonë, edhe të pagueshme, sepse do të ketë mundësi që të deklarojë dhe shpenzime të bëra për drita, për ujë, për qira, apo edhe për punëtorët”, u shpreh ai.

Në Shkodër janë 447 biznese që futen në skemën e TVSH-së.

Top Channel