Malazezët u janë drejtuar kutive të votimit prej mëngjesit të kësaj të diele, për zgjedhjet presidenciale që pritet t’i japin pak më shumë sesa 50 për qind të votave kandidatit proeuropian Milo Gjukanoviç.
Mladen Bojaniç, një biznesmen i mbështetur nga aleanca e disa partive, përfshi disa që kërkojnë lidhje më të ngushta me Rusinë, duket se ndjek në distancë Gjukanoviçin, i cili ka dominuar politikën malazeze qoftë si kryeministër, ashtu dhe si president i vendit të vogël buzë Adriatikut, me 30 për qind të votave, të paktën sipas sondazheve.
Edhe pse roli i presidentit është kryesisht ceremonial, nëse Gjukanoviçi fiton dhe zëvendëson aleatin e tij Filip Vujanoviç, ai pritet të ushtrojë pushtet të konsiderueshëm dhe ndikim politik përmes radhëve të ish-partisë së tij të DPS-së (Partia Demokratike e Socialistëve).
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi, një vend prej vetëm 620 mijë banorësh, u tronditën disi nga arrestimi i një grupi nacionalistësh serbë, që kishin komplotuar vrasjen e Gjukanoviçit dhe sjelljen në pushtet të partive proruse, për të ndalur anëtarësimin e vendit në NATO.
Gjithsesi, Gjukanoviçi dhe DPS-ja e udhëhoqën Malin e Zi drejt NATO-s vitin e kaluar, e u zotuan se do të përfundonin edhe bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Moska, e cila kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në aleancën atlantiko-veriore, gjithsesi hodhi poshtë se ishte mbështetëse e “puçit” të nacionalistëve serbë.
Më shumë se 530 mijë votues do të votojnë në 1.206 qendrat e votimit anembanë Malit të Zi, që u hapën në orën 6 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 18 të pasdites. Nëse asnjëri prej kandidatëve për president nuk do të sigurojë 50 për qind të votave, atëherë raundi i dytë do të mbahet më 29 prill.
“Pres që Gjukanoviçi të fitojë”, tha Zdravko Ivanoviç, një pensionist 84-vjeçar pasi hodhi votën e tij. “Ai është burrështetasi më i mirë, kryeministri më i mirë që ka pasur Mali i Zi dhe gjiganti malazez më i zgjuar”.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Podgoricës janë përkeqësuar që prej vitit 2014, kur ish-republika jugosllave iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Madje muajin e kaluar, Mali i Zi dëboi edhe një diplomat rus pas helmimit të një ish-agjenti rus në Britani.
Top Channel