Një avion i flotës ushtarake ajrore të Greqisë është rrëzuar mesditën e së enjtes pranë ishullit Skyros të detit Egje.

Bëhet fjalë për një avion të tipit “Mirazh 2000-5”, i cili kthehej nga një proces interceptimi të disa avionëve turq që kishin shkelur zonën ajrore të Greqisë.

Ai bënte pjesë në një skuadrilje me një avion tjetër të të njëjtit tip, piloti i të cilit kur është ulur në aeroportin e ishullit ka raportuar se një minutë më parë kishte humbur nga kontakti pamor shokun e tij të skuadrës, që ndodhej para tij.

Menjëherë ka filluar një operacion i forcave të Marinës greke, me një frigatë dhe disa helikopterë, i cili është në zhvillim, për të zbuluar vendin ku mund të jetë rrëzuar avioni, që sipas informacioneve të para ndodhet vetëm 9 milje detare nga ishulli Skyros, gjithashtu edhe për të gjetur pilotin, nëse ky i fundit ka mundur të shfrytëzojë mekanizmin e hedhjes së sediljes fluturuese me parashutë, që përdoret në raste rreziku.

Rrëzimi i avionit ushtarak ndodh në një moment kur tensioni midis Turqisë dhe Greqisë është në pikën kulmore, ndërsa çdo ditë avionë ushtarakë grekë ndjekin dhe interceptojnë avionët turq mbi Egje.

Një avion i të njëjtit tip është rrezuar edhe 7 vite më parë në Egjeun Lindor, ndërsa në gusht të vitit 2014, flota ushtarake greke ka humbur edhe një avion të tipit “A-7 Corsair”, bombardues i lartësive të ulëta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA